image Hungaria kundërshton planin e BE-së për më shumë fonde për Ukrainën

Evropë

Hungaria kundërshton planin e BE-së për më shumë fonde për Ukrainën

news image

Hungaria kundërshton planin e Komisionit Evropian për t’i dhënë më shumë para Ukrainës dhe Budapesti nuk është i gatshëm të kontribuojë me para shtesë për të financuar kostot e menaxhimit të borxheve të BE-së, tha kryeministri Viktor Orban, për radion shtetërore më 30 qershor.

Orban, që foli në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel, tha se ishte një kërkesë “qesharake” nga Komisioni që kërkoi që Hungaria të kontribuojë me para shtesë, kur Budapesti – së bashku me Poloninë – nuk kanë marrë fonde nga Fondi i Rimëkëmbjes së BE-së për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sundimin e ligjit.

BE-ja do t’i japë Ukrainës një pako të ndihmës prej 50 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, ka njoftuar blloku më 20 qershor. Ky vendim vjen pas rishikimit të buxhetit të përbashkët të BE-së për periudhën 2021-2027, që është shpenzuar për pandeminë COVID-19, për luftën në Ukrainë dhe krizën e energjisë. Inflacioni i lartë dhe normat e larta të interesit po ashtu kanë dyfishuar shpenzimet e shërbimeve.

“Një gjë është e qartë, ne hungarezët… nuk do të japim më shumë para për Ukrainën derisa ata të thonë se ku kanë shkuar fondet prej 70 miliardë eurosh që kanë qenë më parë”, tha Orban.

“E e vlerësojmë si qesharake dhe absurde që ne duhet të kontribuojmë me më shumë para për të financuar borxhet për shkak të kostos së shërbimeve, nga të cilat ne ende nuk kemi marrë fondet që na takojnë”, shtoi kryeministri hungarez.

Hungaria dhe Polonia janë shtetet e vetme të BE-së që kanë ngecur prapa sa i përket përfitimit nga fondet e rimëkëmbjes. Komisioni Evropian ka bllokuar këto fonde për shkak të akuzave se qeveritë nacionaliste të këtyre dy shteteve kanë dëmtuar demokracinë dhe sundimin e ligjit.

/GazetaSinjali/