image Procedohet në Kuvend vendimi i Qeverisë për masat e emergjencës

Politikë

Procedohet në Kuvend vendimi i Qeverisë për masat e emergjencës

news image

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shpall masa emergjente për furnizim me energji, të vlefshme deri në 60 ditë. Ky vendim do të procedohet në Kuvend për miratim në seancën e ardhshme, shkruan Sinjali.

Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Ai ka shkruar në Facebook se më në fund Qeveria ka filluar të reflektojë, dhe po orvatet që të kthejë ligjshmërinë e veprimeve të saj në relacion me krizën energjetike të vendit.

Fatkeqësisht, të gjitha vendimet, transaksionet dhe importet në këtë periudhë krize, janë kryer në mënyrë të paligjshme. Pas ngritjes së shqetësimit tonë, dhe propozimit që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe emergjente me legjislacionin në fuqi, në fushën e energjisë, Qeveria sonte në orët e vona morri këtë vendim. Kjo dëshmon atë që ne e kemi ngritur si çështje dhe shqetësim, për paaftësinë e Qeverisë që të përballet me sfidat”, ka shkruar ai.

Sipas një dokumenti që e ka siguruar Sinjali, masat emergjente përfshijnë:

  1. Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorë;
  2. Vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Gjithashtu, Qeveria ka vendosur që të formohet një Komitet Teknik Emergjent, i cili do të identifikojë dhe paraqesë rekomandime në Ministrinë e Ekonomisë.

Arsyetim i këtij vendimi, sipas Qeverisë janë vështirësitë e sistemit elektro-energjetik pas rritjes së konsumit, pamjaftueshmëritë e gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe rritja enorme e çmimeve të energjisë elektrike.

/GazetaSinjali/