image Kushtetuesja konfirmon vendimin e qeverisë për tokën në Graçanicë për ndërtimin e qendrës sociale

Politikë

Kushtetuesja konfirmon vendimin e qeverisë për tokën në Graçanicë për ndërtimin e qendrës sociale

news image

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Qeverisë së Kosovës në rastin që lidhet me bartjen e pronës publike për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona me autizëm, sindromën Down, aftësi të kufizuara, persona të rritur dhe të moshuar në Graçanicë.

Vendimi vjen pasi Komuna e Graçanicës kishte kundërshtuar bartjen e parcelës, duke pretenduar se cenohen interesat komunale. Megjithatë, Kushtetuesja ka konstatuar se vendimi i Qeverisë është në përputhje me ligjin dhe interesin publik.

Sipas aktgjykimit, kuadri ligjor i Kosovës i jep përparësi interesit publik në rastet e bartjes së pronës publike, duke kërkuar që ajo të administrohet në përputhje me kriteret e ligjshmërisë dhe transparencës.

Qendra Rezidenciale pritet të ndërtohet nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, ndërsa Qeveria do ta japë parcelën në shfrytëzim për një periudhë prej 99 vjetësh.

Gjykata ka sqaruar se gjatë seancës dëgjimore asnjëra nga palët nuk e ka kontestuar ekzistimin e interesit publik për ndërtimin e qendrës. Po ashtu, është konstatuar se projektet e mëhershme të përmendura nga Komuna e Graçanicës për atë parcelë nuk janë realizuar, ndërsa një kompani e interesuar për ndërtimin e një parku diellor ishte tërhequr nga projekti.

Në arsyetimin e saj, Qeveria ka theksuar se ndërtimi i qendrës materializon obligimet ndërkombëtare të Kosovës që rrjedhin nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/