image Probleme me ngrohje e rrymë/ Në dy shkolla të Prishtinës nuk u mbajt mësim sot

Arsim

Probleme me ngrohje e rrymë/ Në dy shkolla të Prishtinës nuk u mbajt mësim sot

news image

Nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini” të cilët shkuan për të mbajtur mësim në këtë shkollë mëngjesin e sotëm, janë kthyer mbrapsht, shkruan Gazeta Sinjali.

Vendimi që të pezullohet mësimi për ndërrimin e paradites është marrë për shkak të një problemi që objekti i kësaj shkolle ka pasur me sistemin e ngrohjes.

Koordinatori i kësaj shkolle, Afrim Gërbeshi, tha për Gazetën Sinjali se problemin me këtë sistem e kishte vërejtur roja i shkollës, i cili e kishte cilësuar si një rrezik për nxënësit.

Mirëpo, pas një intervenimi nga kompania kontraktuese, Gërbeshi tha se ky problem është zgjidhur dhe ndërrimi i pasdites do të vazhdojë mësimin normalisht.

“Punëtori teknik ka ardhë sot në orën 04:00, 04:30 i ka ndezë kalldajat, është kriju një problem. E ka pa që është rrezik, nuk po përcillen flaka dhe i ka ndalë atë, për shkak se ka fillu pak një tym. Kanë ardhë punëtorët e kompanisë kontraktuese dhe e kanë ndreq. Nxënësit e ndërrimit të paraditës i kemi kthy për në shtëpi. Meqenëse mësuesit kanë qenë në shkollë, ka qenë e pamundur të zhvillohet mësimi online, derisa janë kthy ata në shtëpi. Tash ndërrimi i dytë, cikli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën, fillon nga ora 13:00. Problemi është rregullu do të thotë”, tha ai.

Mësimi i ndërrimit të paradites nuk u zhvillua as në shkollën “Mehmet Gjevori” në kryeqytet, për shkak se në këtë shkollë nuk pati furnizim me energji elektrike, e rrjedhimisht as ngrohje.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, tha për Gazetën Sinjali se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në këtë shkollë, është një problem me energji elektrike që është shfaqur në afërsi të këtij objekti.

Shala tha se roja i shkollës e ka lajmëruar drejtorin në orën 4 të mëngjesit, ndërkaq kjo drejtori është njoftuar për këtë problem në orën 06:30, andaj edhe kanë arritur që t’i lajmërojnë nxënësit që mësimi nuk do të mbahet në shkollë, por online.

Ajo tha se sa do të zgjasë mësimi online në këtë shkollë varet nga përfundimi i interventimit të KEDS-it, i cili mund të kryhet gjatë ditës së sotme, ose nesër.

Sido që të jetë, ajo tha se derisa furnizimi me rrymë të rikthehet, nxënësit e kësaj shkolle do të vijojnë mësimin online./Gazeta Sinjali/