Njëri nga dy personat që u konfirmuan sot me koronavirus në Kosovë është një 58-vjeçar nga Prizren dhe siç njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ai ishte infektuar me virus jashtë shtetit, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu.
Shehu ka treguar se 58-vjeçari ka ardhur nga Bullgaria para 14 ditëve dhe menjëherë është vendosur në karantinë.
Sipas Shehut, në Komunën e Prizrenit nuk ka ndonjë rast tjetër të dyshimtë.
“Sot ka qenë dita e 14-të e tij, meqenëse ka qenë i vetizoluar. Sot ka pasur të lirohet nga karantina, por që rezultatet e tij kanë dal pozitive. Nuk ka pas simptoma më herët, deri në tre ditët e fundit. Sipas informacioneve që kam, ai ka ardhur nga Bullgaria. Menjëherë pasi ka ardhur nga Bullgaria është vendosur në karantinë, sepse ashtu rekomandohet. Aktualisht s’kemi raste të tjera të dyshuara, ky është rasti i vetëm në Komunën e Prizrenit. Me pajisje mbrojtëse, qëndrojmë njëherë mirë”, ka thënë drejtoi i Shëndetësisë në Prizren.
Dy rastet të cilat rezultuan pozitive në testin për koronavirus sot e çuan numrin e të prekurve në Kosovë në 108. /Gazeta Sinjali/