image Priten rezultatet e testimit për koronavirus të 51 punëtorëve të Postës së Kosovës

Shëndetësi

Priten rezultatet e testimit për koronavirus të 51 punëtorëve të Postës së Kosovës

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë të ditur se në mesin e ndërmarrjeve publike që kanë punëtorë të infektuar me koronavirus është edhe Posta e Kosovës.

Shefi i Shtabit Emergjent në Postën e Kosovës, Xhevdet Smakiqi ka konfirmuar se numri i punëtorëve të Postës së Kosovës që janë prekur nga koronavirusi, është 12-të.

Smakiqi tha për Gazetën Sinjali se gjendja shëndetësore e punëtorëve të infektuar është stabile dhe të njëjtit ndodhen në vetizolim.

“Neve na ka ndodh infeksioni i parë më 5 qershor dhe menjëherë kemi filluar testimin e stafit të administratës. Aktualisht nuk ka ndonjë rrezik pasi po u përmbahemi masave mbrojtëse. E kemi dezinfektu objektin dhe kemi siguru maska të mjaftueshme… Kemi  11 kolegë të infektuar dhe një person (staf i kontraktuar)…Kolegët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të njëjtit ndodhen në vetizolim”, tha Smakiqi të shtunën për Gazetën Sinjali.

Më tej, Smakiqi bëri të ditur se janë në pritje të rezultateve të testimit për 51 punëtorë.

“51 mostra janë marrë ditën e mërkurë dhe po presim rezultatet. Është testuar i gjithë stafi i administratës në zyrën qëndrore. Shpresoj që rezultatet të dalin negative”, përfundoi Smakiqi.

Ndryshe, IKSHPK ka bërë të ditur se javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare dhe shëndetësore, dhe sipas tyre kjo ka ndodhur për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

Numri i punëtorëve të infketuar në KEK aktualisht është nëntë, në KEDS një person dhe në Galerinë e Arteve dy persona.

IKSHPK apelon te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. /Gazeta Sinjali/