image Numri i të infektuarve në Galerinë e Arteve dhe detaje si u përhap Covid-19 në këtë institucion

Numri i të infektuarve në Galerinë e Arteve dhe detaje si u përhap Covid-19 në këtë institucion

news image

Në Galerinë Kombëtare e Kosovës janë konfirmuar dy raste me koronavirus. Të infektuarit janë punëtorë të këtij institucioni. Këto informacione për Gazetën Sinjali i ka bërë të ditura drejtoresha e galerisë, Arta Bunjaku.

Ajo tha se dy punëtorët janë infektuar jashtë galerisë. Kurse, pas konfirmimit të rezultatit janë vetizoluar.

“Po, në Galeri janë dy persona të infektuar. Infektimi nuk ka ndodhur brenda galerisë por jashtë. Pavarësisht kësaj, masat mbrojtëse po merren në galeri. Puna do të vazhdojë të mërkurën, ashtu siç është paraparë”, tha Bunjaku për Gazetën Sinjali.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë njoftoi se pas gjurmimit të rasteve të reja, ka pasur edhe punëtorë të institucioneve e organizatave të ndryshme.

“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare dhe shëndetësore për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave” thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 1 mijë e 384 persona, prej tyre 921 janë shëruar dhe 31 të tjera kanë vdekur, ndërsa raste aktive janë 432./GazetaSinjali/