image Prishtina e mbushur me flamuj, atmosferë festive para ndeshjes së madhe futbollistike

Kosovë

Organizim/ Prishtina e mbushur me flamuj, atmosferë festive para ndeshjes së madhe futbollistike

news image

Kryeqyteti kosovar është mbushur me flamuj të shtetit të Kosovës dhe të Anglisë para ndeshjes futbollistike mes këtyre dy shteteve mike.

Ndeshja e sotme futbollistike, më shumë sesa një ngjarje sportive, po përjetohet si një festë e veçantë për popullin kosovar, emocion ky që ka depërtuar përmes medieve edhe në shtetin anglez.

Rivalët e futbollit anglez, si askund tjetër, po priten jo si kundërshtarë por si heronj në Kosovë. Imazhet e tyre janë ngritur në rrugët e Prishtinës për ta dëshmuar mikpritjen tradicionale shqiptare ndaj mysafirit, virtyt ky tradicional dhe i njohur ndër shqiptarë, shkruan Gazeta Sinjali.

Qytetarët kosovarë kanë përgatitur një pritje madhështore për tifozët anglezë që kanë ardhur në Kosovë për ta përkrahur ekipin e zemrave të tyre.

Befasitë nga tifozëria dardane për mysafirët pritet të ndodhin edhe në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo ndeshje, ndër më të veçantat në Kosovë, pritet të mbahet në mend mend pavarësisht epilogut të saj.

Mikpritja dhe bujaria kosovare nuk ka kaluar pa u vërejtur nga shtetasit anglezë të cilët tashmë kanë arritur në Prishtinë dhe gazetarët anglezë të cilët prej disa ditësh po e pasqyrojnë këtë ngjarje me interesim të veçantë.

Shumë prej tifozëve anglezë kanë mbushur rrjetet e tyre sociale duke e përshkruar Kosovën si vendin më të mirë në botë për nga mikpritja dhe bujaria si dhe çmimet e lira të ushqimit dhe pijeve.

Skuadra angleze mbrëmë ka arritur në Kosovë dhe sot do t`i masë, për herë të dytë, forcat me djemtë e Republikës së Kosovës, ndërsa për herë të parë, si mysafire në stadiumin “Fadil Vokrri”./Gazeta Sinjali/