Mbi 80 përqind e prindërve të fëmijëve që ishin pjesë e çerdhes “Cambridge Kids” kanë kundërshuar mbylljen e kësaj çerdheje duke thënë se tashmë fëmijët janë sistemuar dhe janë të lumtur brenda ambienteve të këtij kopshti.
Ata thonë se e dënojnë ashpër veprimin e edukatores e cila ushtron dhunë ndaj fëmijës, por se puna e një personi nuk e pasqyron punën e të githë stafit.
“Të gjithë ne jemi në marrëdhënie pune dhe mbyllja e kopshtit e vështirëson jetën tonë të përditshme. Pas rastit kopshti na ka ftuar në takim dhe jemi njoftuar rreth detajeve dhe masave që janë ndërmarrë, ne si prindër kemi dhënë sugjerime shtesë për kopshtin të cilat ata i kanë pranuar në tërësi. Kur kemi ardhur në kopsht ne kemi qenë në dijeni se kopshti është në proces të përpilimit të dokumentacionit për licencim dhe duke i parë kushtet ideale që ka, kemi vendosur t’i sjellim fëmijët tanë dhe jemi shumë të kënaqur me trajtimin e tyre”.
Edhe pse çerdhja është mbyllur në mungesë të licencës së punës, prindërit thonë se kanë qenë në dijeni që kopshti nuk ka licencë, por megjithatë kanë pranuar t’i sjellin fëmijët për shkak të kushteve ideale të cilat i posedon kopshti.
Ata po ashtu kërkojnë që deri në licensim të vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët.
“Një edukatore të cilën në asnjë rast nuk e arsyetojmë nuk e pasqyron punën e mrekullueshme të gjithë stafit tjetër. Ne si prindër e lutim përzemërsisht Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të ketë parasysh faktin që fëmijët tanë duhet të vazhdojnë kopshtin dhe se ne si prindër të poshtëshënuar jemi të kënaqur me punën e stafit. Fëmijët tanë nuk mund t’i vendosim në kopshte tjera përderisa ata janë sistemuar dhe janë përshtatur aq mirë në kopshtin në të cilin janë. Ne jemi të mendimit që fëmijët të vazhdojmë t’i dërgojmë në kopsht ndërkohë që kopshti vazhdon me procedurat e licencimit”./GazetaSinjali/