Prifti nga Mariupoli, Pavel Pomashevsky, arriti të largohet nga qyteti i rrethuar të dielën e kaluar.
Ai tha se kishte parë mjerimin, vuajtjen dhe errësirën gjatë atyre ditëve.
“Na bombarduan pa pushim, ditë e natë. Ishte e pamundur të flinim. Diçka fishkëlleu dhe shpërtheu, avionët ulërinin sipër nesh dhe hodhën bomba, ata granatuan me raketa”, u shpreh ai.
Më 5 mars u shpall për herë të parë një korridor humanitar, por kolona me të evakuuarit nuk u largua kurrë nga qyteti pasi autoritetet ruse rinovuan granatimet e Mariupolit.
At Paveli arriti të dilte nga qyteti pak para se të fillonin bombardimet. Ai ishte në një kolonë makinash private që u larguan herët në mëngjes, raporton BBC.
“Nuk e dinim nëse do të na qëllonin apo jo. Ishte shumë e frikshme. Menduam se ky ishte fundi ynë”, tha ai.
Por, më pas ushtarët rusë i lejuan të qëndronin natën në një fshat aty pranë. Kolona prej rreth 100 makinash u drejtua atje. Të nesërmen në mëngjes disa shoferë vendas ofruan një rrugë tjetër për të anashkaluar postbllokun rus dhe për të shkuar në territorin e kontrolluar nga Ukraina. Ata vendosën të rrezikojnë.
“Rrugës, pamë disa skena të tmerrshme të betejave të fundit. Kishte ushtarë rusë të vdekur përgjatë rrugës. Kemi kaluar disa postblloqe ruse. Në një vend ata na drejtuan automatikët duke menduar se ishim ushtarë ukrainas”, tha tutje prifti.