image Presidentja Osmani takohet me shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ia kërkon njohjen - Sinjali

Presidentja Osmani takohet me shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ia kërkon njohjen

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë, ambasadoren Heleni Vakali, së cilës ia ka kërkuar njohjen diplomatike të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Presidencës, duke thënë se Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Vakali dhe i bëri me dije gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar me Greqinë në sektorin e energjisë e turizmit.

“Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Vakali dhe i përcolli gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve nëpërmjet shtimit të bashkëpunimit ekonomik, në sektorin e energjisë, turizmit dhe investimeve”, thuhet në komunikatë

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani vlerësoi ngritjen e raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë, duke theksuar se institucionet tona janë të përkushtuara t’i zgjerojnë dhe intensifikojnë raportet në të gjitha fushat, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin në procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike si prioritet kyç i Republikës së Kosovës.”.

Presidentja Osmani dhe ambasadorja Vakali u dakorduan për shtimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërinstitucional në fushat e interesit të dyanshëm.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin