Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, gjegjësisht, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, ambasadorin Francës, Olivier Guérot, Zëvendës Shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara, Alyson Grunder, si dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, hapat e mëtutjeshëm, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë.
Tutje, Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
Presidentja Osmani po ashtu theksoi se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.