Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit austriak, Alexander Van der Bellen, sot do ta nisë vizitën zyrtare në këtë shtet.
Kështu u bë e ditur në një njoftim të lëshuar nga Presidenca.
Nga kjo zyre njoftojnë se me presidentin austriak, Osmani do të diskutojë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe konkretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Agjendës së Gjelbër.
Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin, Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji, Leonore Gewessler, me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike, do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.
Gjatë qëndrimit në Austri, Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.
Presidentja ka paraparë edhe një takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake.
Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ajo do të mbajë një ligjëratë me temën: “Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storiet e Suksesit”./Gazeta Sinjali/