Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka përkujtuar sot heroin e kombit Sali Çekaj, i cili 23 vjet më parë humbi jetën në fushëbetejën në Koshare.
Osmani, në dedikimin e saj, thotë se Çekaj ishte njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së.
”Sot kujtojmë heroin e kombit Sali Çekaj, i cili, 23 vjet më parë, ra në fushëbetejë, në Koshare.
Çekaj ishte njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I mbrujtur me tiparet më të mira të popullit shqiptar, trimërinë, bujarinë, besnikërinë, dashurinë ndaj atdheut, familjes dhe shokëve, ai e nisi qysh herët veprimtarinë në të mirë të atdheut e të kombit.
Qysh më 1981, iu kundërvu regjimit të atëhershëm jugosllav, në demonstratat e njohura të atij viti. Më pas e vazhdoi veprimtarinë politike këtu e jashtë atdheut.
Bashkë me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak.
Urdhri “Hero i Kosovës” dhe “Medalja e Pavarësisë”, të cilat ia ndau presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, janë mirënjohja që vendi ynë ka për veprimtarin e tij, Sali Çekajn.
I përjetshëm kujtimi për të!”.