image Presidentja Osmani i përgjigjet kërcënimit të Rakiqit: Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po e zbaton ligjin

Politikë

Presidentja Osmani i përgjigjet kërcënimit të Rakiqit: Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po e zbaton ligjin

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur paralajmërimit të Listës Serbe, se nëse konfiskohen veturat e serbëve, do të ketë bllokim të rrugëve.

“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo spjegon gjithçka. Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po e zbaton ligjin. Kjo është ajo piktura e madhe që vazhdimisht insistojmë që të gjithë ta shohin, është çështje e zbatimit të ligjit. Respektim i parimeve e standardeve më të larta. Po e zbatojmë ligjin”, tha Osmani në konferencë.

Osmani ka reaguar ashpër ndaj djegies së veturave që po ndodhin në veriun e vendit, për qytetarët që po i konvertojnë targat në RKS.

Ajo ka thënë se Kosova është në luftë kundër bandave, duke aluduar në strukturat ilegale në veri.

“Pakica që nuk i ka konvertuar targat, është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Lufta jonë është kundër bandave. Në luftën tonë për sundim të ligjit, presim të kemi përkrahje të aleatëve tanë”, tha Osmani.

Ajo tha vendimi për targat nuk është kundër qytetarëve serbë.

“Sa i përket targave, tema që duhet të diskutohet sot është pak më ndryshe. Qytetarëve serbë që po e zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në RKS, po iu djegën shtëpitë, makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale të personave që janë në listën e zezë të Amerikës, janë temë e sundimit të ligjit. Kosova është konfirmuar si shtet me më së shumti reforma në Evropë, dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo tregon që veprimet tona kanë qenë të drejta. Asesi kundër qytetarëve serbë. Por vetë fakti që 90% të serbëve i përdorin targat legale, është dëshmi që ky vendim nuk është kundër qytetarëve serbë”, theksoi presidentja e vendit.

/GazetaSinjali/