Pas dështimit të vizitës së presidentit Steinmeier kancelari konsideron se i takon Ukrainës të reagojë. Kreu i opozitës, Friedrich Merz do të vizitojë Kievin.
Kancelari Olaf Scholz për shkak të refuzimit të vizitës së presidentit të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier nga pala ukrainase tani për tani nuk do të udhëtojë për në Kiev.
“Kjo është një pengesë për këtë”, tha politikani socialdemokrat në emisionin e ZDF-së “Po tani?” (“Was nun?”).
“Është një veprim që të bën mjaft përshtypje”, të refuzosh të presësh presidentin e sapo rizgjedhur me shumicë të gjerë. Scholz shtoi se: “Nuk mund të funksionojë, që nga një vend, që jep kaq shumë ndihmë ushtarake, kaq shumë ndihmë financiare, të cilat janë të nevojshme, kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë të rëndësishme për Ukrainën në të ardhmen, të thuash: “Presidenti nuk lejohet të vijë”.
Vizita e planifikuar e Steinmeierit në mes të prillit dështoi, pasi pala ukrainase nuk donte ta priste atë. Presidenti donte të udhëtonte në Kiev bashkë me presidentët e Polonisë, Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë, të cilët në fund vizituan Kievin pa Steinmeierin. Presidenti Steinmeier kritikohet në Ukrainë për shkak të politikës së tij ndaj Rusisë kur ka qenë ministër i Jashtëm. Ndërkaq ai e ka pranuar se ka gabuar në vlerësimin e kreut të Kremlinit Vladimir Putin si dhe lidhur me linjën e gazsjellësit Nord Stream 2.
Lidhur me udhëtimin e planifikuar për në Kiev të kryetarit të partisë kristiandemokrate në opozitë, Friedrich Merz, Scholz tha, se ai e ka informuar për planet e tij.
“Unë nuk kam ndonjë rezervë lidhur me këtë” Merz pati deklaruar më parë, se do të shkojë në Kiev me ftesë të parlamentit të Ukrainës. Ai e ka informuar hollësisht qeverinë, por nuk ka kërkuar shoqërim nga Agjencia Federale e Kriminalistikës (BKA) për sigurinë e tij. “Për këtë nuk ka pasur as ndonjë ofertë përkatëse nga BKA”, thotë Merz.
Gazeta “Tagesspiegel” njoftoi, se BKA e ka këshilluar kreun e opozitës ta shtyjë vizitën në Ukrainë. Kjo ka të bëjë me gjendjen e sigurisë atje. Gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, javën e kaluar në Kiev pati sulme me raketa.