Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i është bashkuar thirrjeve të liderëve perëndimorë që Rusia të shtensionojë situatën, pas grumbullimit të mbi 150,000 trupave përgjatë kufijve të Ukrainës, që ka rritur frikën se Moska po përgatitet ta pushtojë fqinjin e saj.
Zelenskiy tha në Konferencën për Siguri të Mynihut se Ukraina do ta mbrojë tokën e saj me apo pa ndihmën e partnerëve.
Këto komente ai i bëri pas një takimi që zhvilloi në margjinat e kësaj konference me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. Kjo e fundit, tha në Konferencën e Mynihut se çdo pushtim i mëtejmë i Ukrainës nga Rusia do të pasohet me forcimin e krahut lindor të NATO-s dhe se Moska do të përballej me pasoja “të paprecedentë”.
“Ne nuk do të ndalemi me masat ekonomike. Ne do të forcojmë më tej aleatët tanë të NATO-s në krahun lindor” në përgjigje të një pushtimi, tha Harris më 19 shkurt, teksa mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Në rast të sulmit rus, Harris po ashtu paralajmëroi se Rusia do të përballej me kosto financiare të “paprecedentë” dhe shtoi se një sulm i tillë do të afronte aleatët evropianë më shumë me SHBA-në.
Këto komente të Harris erdhën një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i “bindur” se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin që ta pushtojë Ukrainën.
Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por Kremlini hedh poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk ka plane të tilla.
“Më lejoni të jem e qartë kur them me siguri absolute: Nëse Rusia e pushton më tej Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, do të vendosim kosto të mëdha ekonomike dhe të paprecedentë”, tha Harris.
Zelenskiy tha në Mynih se fuqitë perëndimore duhet të heqin dorë nga ajo që ai e quajti politikë “e butë” karshi Moskës.
“Ukraina ka pranuar garanci të sigurisë për braktisjen e arsenalit të tretë më të madh bërthamor në botë. Ne nuk kemi armë. Dhe as siguri… Por, ne kemi të drejtë – të drejtën që të kërkojmë nga një politikë e butë në një politikë që garanton siguri dhe paqe”, tha ai.