Ditën e hënë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin do të mbërrijë në Tiranë për një takim kokë më kokë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe presidentin e FSHF-së Armand Duka, në lidhje me situatën e fundit zgjedhore për organin e futbollit në vendin tonë.
Burime pranë Kryeministrisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, konfirmojnë për “Top Channel”, që numri 1 i qeverisë evropiane të futbollit, UEFA, do të vizitojë këtë here në një vizitë ‘flash’ prej 3 orësh në kryeqytetin shqiptar për një situatë jo të këndshme, pasi veç çështjeve të zgjedhjeve të FSHF-së do të diskutohet edhe zhvillimi i finales së madhe evropiane të Conference League.
Zyra e medias së UEFA-s konfirmoi se ngjarjet e fundit dhe sidomos eksplozivi në shtëpinë e presidentit Duka, kanë vendosur në pikëpyetje çështjen e sigurisë dhe për këtë arsye kërkohen rikonfirmime nga qeveria shqiptare për të organizuar këtë aktivitet madhor për UEFA-n, që për herë të parë do të zhvillojë finalen e këtij kompeticioni premier në kryeqytetin shqiptar dhe që prej disa muajsh po reklamohet kudo në Evropë. /Gazeta Sinjali Sporti/