image Presidenca: Vjosa Osmani gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit - Sinjali

Presidenca: Vjosa Osmani gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit

news image

Presidenca e Kosovës ka dhënë një sqarim rreth kompetencave që ka ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, duke njoftuar se kjo e fundit nuk ka asnjë kufizim në ushtrimin e kompetencave kushtetuese, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një njoftimi, nga Presidenca bëjnë të ditur se Osmani njëkohësisht ushtron edhe të gjitha kompetencat e plota të kreut të shtetit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe e drejta pozitive në tërësi.

 “Përderisa ushtron detyrën e Presidentes, ajo njëkohësisht ushtron edhe të gjitha kompetencat e plota të kreut të shtetit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe e drejta pozitive në tërësi. Lidhur me këtë ekzistojnë edhe aktgjykime të Gjykatës kushtetuese, konkretisht rastet KO 29/12 dhe KO 48/12. Një nga këto aktgjykime trajton propozimim e Kuvendit për kufizim të kompetencave të u.d. të Presidentit përmes amendamenteve kushtetuese.

Megjithatë, këto amendamente Kushtetuese, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Ndaj kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar. Pra nuk janë bërë asnjëherë pjesë e Kushtetutës. Në rastin në fjalë, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se amendamentet e propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur nga presidenca se përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit.

“Për këtë arsye këto propozim-amendamente nuk janë formalizuar asnjëherë. Përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit që nga momenti kur ka filluar ushtrimin e detyrës. Çdo interpretim tjetër, sipas të cilit u.d. Presidentja i ka të kufizuara kompetencat bazuar në propozim amandamente që kurrë nuk u votuan, nuk është interpretim i kushtetutës por thjeshtë qasje tendencioze politike. Kabineti i u.d. Presidentes”, thuhet tutje njoftimi.

Ky reagim nga presidenca vjen pas deklaratës së ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili ka deklaruar se ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën e vendit, pasi ajo nuk ka të drejtë të ndajë dekorata. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin