Administrata ka propozuar që nëpunësit civilë të Presidencës për shkak të angazhimit të tyre jashtë orarit, të kompensohen me nga 600 euro neto për vitin 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
Në dokumentin që Gazeta Sinjali e ka siguruar, është bërë e ditur se Vjosa Osmani, ka qenë kundër rritjes së pagave dhe është kundërshtuar nga vetë ajo duke votuar kundër kësaj.
Por, ky vendim me shumicë votash ka kaluar nga Kryesia e Kuvendit, vendim ky që është marrë me arsyetimin se gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit, nëpunësve civilë i është dashur të punojnë edhe me orar të zgjatur.
“Nëpunësve civilë të Zyrës së Presidentit u njihet e drejta e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij vendimi, duke pasur parasysh faktin që Zyra e Presidentit funksionon me staf të pamjaftueshëm në raport me strukturën organizative dhe si rrjedhojë, në mbështetje të aktivitetit zyrtar të presidentit të Republikës së Kosovës, ka pasur mbingarkesë në punë dhe angazhim të shtuar jashtë orarit të punës, duke pasur parasysh edhe punën gjatë pandemisë COVID-19, gjatë vitit 2020”, thuhet ndër të tjera në pikën dy të këtij dokumenti.
Sinjali po ashtu ka siguruar transkriptën e mbledhjes së Kuvendit ku u.d. Vjosa Osmani ka votuar kundër.
Vjosa Osmani në këtë mbledhje ka thënë se stafi i saj shkëputet nga ky vendim.
“Pra, assesi nuk do ta marrë këtë pjesën shtesë dhe po e përsëris se qëndrimi im është se për shkak të pandemisë njëherë dy muaj, një pjesë e madhe e administratës nuk ka qenë në punë”, tha Osmani.
Gjithashtu, në një prononcim për Sinjalin, këshilltari i presidentes në detyrës, Bekim Kupina, u shpreh se Vjosa Osmani nuk mund t’i shpërblejë stafin politik të presidencës me mjete shtesë, duke e demantuar lajmin që qarkullonte në mediume tjera për një gjë të tillë.
“Nuk është e vërtetë që ajo ka shpërblyer stafin e presidencës”, tha ai.
Ndryshe, në këtë vendim kanë përfituar mbi 40 persona, që do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës, plotë 30 mijë e 877 euro.