image Prania e Gërvallës dhe Kusarit në takimin konsultativ përplas Osmanin dhe Abdixhikun

Politikë

Prania e Gërvallës dhe Kusarit në takimin konsultativ përplas Osmanin dhe Abdixhikun

news image

Prania e Donika Gërvallës nga Lista Guxo dhe e Mimoza Kusari – Lilës nga Alternativa, në takimin konsultativ për zgjedhjet lokale, ka shkaktuar përplasje në distancë mes presidentes së vendit, Vjosa Osmanit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, raporton Gazeta Sinjali.

Abdixhiku tha se si LDK kanë pasur rezerva që në këtë takim të marrin pjesë dy parti “të pacertifikuara”.

“Sot kishim një takim konsultativ. Në fillim shprehëm rezervat tona për pjesëmarrjen e dy partive të pacertifikuara në këtë takim”, deklaroi Abdixhiku para mediave duke iu referuar pjesëmarrjes së Donika Gërvallës dhe Mimoza Kusari-Lilës në këtë takim.

Nuk mungoi reagimi i presidentes Osmani për këtë deklarim të Abdixhikut, e cila në fund tha se “vendosi vetë kënd e ftoj në konsultime”.

“Sa i përket pranisë së zonjës Donika Gërvalla dhe zonjës Mimoza Kusari-Lila në këtë takim, unë që nga dita e parë e punës kam vendosur një standard. Ato në këtë takim kanë përfaqësuar zërin e qytetarëve në parlament. Zonja Gërvalla përfaqëson një subjekt nga i cili kanë dalë 8 deputetë, edhe zonja Kusari është përfaqësuar vetë. Unë kam ftuar edhe zotin Pacolli. Po ashtu kam ftuar të gjitha përfaqësuesit e pakicave. Tek e fundit unë jam presidente dhe vendosi vetë kënd e ftoj në konsultime me mua si e para e shtetit”, tha ndër të tjera Vjosa Osmani./Gazeta Sinjali/