image Prangoset një person në Podujevë, dyshohet për falsifikim të testeve për COVID-19

Siguri

Prangoset një person në Podujevë, dyshohet për falsifikim të testeve për COVID-19

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për falsifikim të testeve për COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.

Arrestimi i tij u bë gjatë bastisjes që kreu policia në një lokal në Podujevë, i cili shërben për tregti me pakicë dhe si fotokopje, ku i arrestuari dyshohet se e ka kryer veprën.

Në këtë lokal, hetuesit policorë kanë hasur dhe kanë sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për COVID-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë.

“Gjithashtu si dëshmi janë sekuestruar edhe një shtëpizë kompjuteri dhe një telefon celular ,të cilët do të dërgohen në ekzaminim me qëllim të gjetjes së dëshmive shtesë lidhur me ketë rast”, thuhet në komunikatën e policisë.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Policia njofton se lidhur me rastin janë duke vazhduar hetimet për grumbullimin e provave dhe dëshmive tjera shtesë, mbi dyshimet e përfshirjes së mundshme në këto aktivitete të kundërligjshme edhe të personave të tjerë./Gazeta Sinjali/