Policia e Kosovës ka arrestuar sot një 23-vjeçare, me inicialet O.R., e dyshuar për veprën penale “Prezantim i rremë”, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se 23-vjeçarja dyshohet se është prezantuar rrejshëm si zyrtare e prokurorisë.
“Mbi dyshime të ngritura se është prezantuar në mënyrë të kundërligjshme apo të rremë, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore, pasi që e dyshuara ditë më parë, në kohën kur është ndalur nga Policia në Mitrovicë, gjatë kontrollit rutinor, ka tentuar t’i vë në lajthim zyrtarët policorë nën arsyetimin se është punonjëse – zyrtare e Prokurorisë”, tha ai.
Mirëpo, sipas policisë, kjo nuk është hera e parë që ajo është prezantuar rrejshëm si zyrtare e këtij institucionit. Një gjë të tillë ajo dyshohet ta ketë bërë edhe në disa raste të tjera.
Ndërsa pas procedurave të intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, e dyshuar është liruar për në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/