Policia e Kosovës ka prangosur së paku pesë persona deri më tani në mega-aksionin policor ‘Karaçeva’ që po zhvillohet në disa rajone të Kosovës për t’i dhënë goditje krimit dhe korrupsionit. Sinjalizues të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se cak i kapjes dhe arrestimit janë rreth 30 persona.
Gazeta Sinjali nga burimet e saj të besueshme brenda strukturave të sigurisë në vend, mëson se aksioni është duke u zhvilluar edhe më tutje.
Ky mobilizim vjen si rezultat i një pune të gjatë hetimore të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e asistuar nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës, e cila ka shpërfaqur se zona e Karaçevës është përdorur si fole e sigurt e krimit, jo vetëm për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, por edhe për bartjen e mallrave në pikën kufitare duke iu shmangur kontrollit doganor.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë konfirmuar se cak i operacionit të sotëm janë dhjetëra biznese të vogla dhe të mëdha, si dhe një numër i madh i qytetarëve që dyshohen për kontrabandim dhe blerje të sendeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.
Vazhdimi i këtij mega-aksioni shtrihet në qytetin e Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Podujevës, Ferizajt, Suharekës dhe Kamenicës.