Pesë persona janë arrestuar në dy raste të ndara nën dyshimet për veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Arrestimet janë realizuar në rajonin e Pejës, pasi të dyshuarit kishin postuar fotografi me armë zjarri në rrjetet sociale.
“Pas identifikimit të personave, janë arrestuar shtetasit L.M.(1995)m/k/sh, A.I.(1998) m/k/sh, F.I.(1975) m/k/sh, ndërsa hetuesit e Stacionit Policor Pejë, në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, kanë kryer kontroll-bastisje në shtëpinë e të dyshuarit XH.I. i lindur me 1971 m/k/sh. Gjatë bastisjes te ky i dyshuar, janë gjetur dhe konfiskuar:
Një (1) armë automatike AK47 dhe një (1) karikator të së njëjtës armë, një (1) shufër metalike një (1) boks hekuri dhe tridhjetepesë (35) copë fishek të kalibrit 7.62mm”, njofton policia, transmeton Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit L.M., A.I. dhe F.I. pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar, ndërsa ndaj të dyshuarit Xh. I. është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
Ndërsa në rastin e dytë, në fshatin Llabjan në Pejë, policia ka intervistuar te dyshuarin K.H.(1997)m/k/sh,në lidhje me veprën ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Pas intervistimit me urdhër të prokurorit dhe me pëlqimin e pronarit kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe janë konfiskuar një armë automatike AK 47, cal 7.62X39mm, një karikator, 12 copë fishek cal 7.62X39mm, një Pistoletë cal. 9X19, një karikator, 12 copë fishek cal. 9X19.
I dyshuari me vendim të Prokurorit, ‘lirohet në procedurë të rregullt’, njofton policia. /Gazeta Sinjali/