image Pozicionimi krah Osmanit e Kurtit, Sahatçiu e PDK-së e heshtur përballë akuzave ndaj saj

Politikë

Pozicionimi krah Osmanit e Kurtit, Sahatçiu e PDK-së e heshtur përballë akuzave ndaj saj

news image

Foto ilustruese


Partitë politike të Kosovës, në raste të caktuara kanë dalë në mbështetje të njëra-tjetrës. Megjithëse këto raste mund të numërohen në gishtërinjë. Së fundi gruaja që mban pozitën më të rëndësishme që Partia Demokratike ka pasur në kryeqytet, Donjeta Sahatçiu, me disa deklarata ka dalë hapur në mbështetje të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe presidentes Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Sinjali.

Partia Demokratike e Kosovës e cila në nivel qendror është në opozitë, është e ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje pasi kjo e fundit është në pushtet që nga shkurti i vitit 2021.

Mirëpo, në një linjë siç duket nuk është nënkryetarja e PDK-së në Komunën e Prishtinës.

Sahatçiu, në maj të këtij viti e kishte shpërndarë një pjesë të fjalimit të presidentes, Vjosa Osmani.

“Kemi nevojë për më shumë se fjalë dhe fjalime. Kemi nevojë për ambicie. Kemi nevojë për aksion”, thuhej në postimin e Sahatçiut ku ajo citonte presidenten Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani

Sikur të mos ishte mjaftueshëm, Sahatçiu shprehi mbështetje edhe ndaj ministres të Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Kjo e fundit është vërshuar me kritika nga PDK-ja për mosmenaxhim të mirë të krizës me energji elektrike.

Në shekullin XXI, kur bota është e dixhitalizuar dhe komunikimi e shprehja e qëndrimeve realizohet përmes një “click”, shpesh herë zbulojmë se kush kë e pëlqen.

Një “pëlqim” ndaj postimit të Anyla Beqës, shefe e stafit në Ministrinë e Ekonomisë, nxori në sipërfaqe simpatinë e Sahatçiut ndaj Qeverisë Kurti.

Artane Rizvanolli

Epo, nuk është rasti i vetëm i veprimeve të tilla të nënkryetares së kryeqytetit.

Heshtja e Sahatçiut përballë akuzave ndaj akuzave nga bashkëpartiakët e saj

Më 21 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëtoi për në Bruksel për të diskutuar për zgjidhjen e çështjes së targave me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për çështje të politikës së jashtme, Josep Borrell dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky takim që zgjati 8 orë, u përcjell me një fushatë në rrjete sociale në përkrahje të Kurtit, të cilës iu bashkua edhe Sahatçiu.

“O tash, o kurrë dëshmohet dashnija për shtetin. Besa, edhe lidershipi. Bashkë”, ka shkruar ajo në Twitter duke u sensibilizuar me përkrahësit e VV-së.

Ndaj kësaj deklarate, pati reaguar ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, e cila tha se shprehja “o tash o kurrë”, gjithmonë ka qenë slogan lajthitës, përhumbës dhe i dëmshëm, për shoqëritë, shtetet”.

“O tash o kurrë përveq në këngën e Elvis Prislit, që është gjë e bukur, gjithmonë ka qenë slogan lajthitës, përhumbës dhe i dëmshëm, për shoqëritë, shtetet. Konsistenca në orientim të duhur është shtet-dashuria vet, besa edhe lidershipi më i mirë. Apo jo?”, ka shkruar Ismaili.

bruksel 1

Për veprimet e Sahatçiut ndodhi një përplasje verbale mes nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku dhe Artan Behramit, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Çitaku i është kundërpërgjigjur kritikave të Behramit duke thënë se edhe “a nuk bënë me pasë Donjeta Mendim a?”.

“Unë jam nënkryetare e PDK-së, qëndrimet politike ke mujtë me i marre te unë. E Donjeta është një vajzë briliante, profesioniste, nënkryetare e Kryeqytetit. Pse a nuk bënë me pasë Donjeta mendim a?”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

316799965 436102468531646 2712166832821906108 n

Derisa në mbrojtje të saj doli Çitaku, Sahatçiu ka zgjedhur heshtjen.

Gazeta Sinjali ka kontakuar nënkryetaren e komunës së Prishtinës për të marrë qëndrimin e saj rreth akuzave nga bashkëpartiakët e saj, mirëpo redaksia nuk ka pranuar përgjigje nga Sahatçiu deri në publikimin e artikullit.

Kush është Donjeta Sahatçiu?

Donjeta Sahatçiu u bë e njohur për publikun që prej se u prezantua nga Uran Ismaili i cili me plot lëvdata, kishte thënë se ajo do të jetë nënkryetarja e parë grua e kryetqytetit.

Sahatçiu, para se të aktivizohej në politikë pikërisht nga Partia Demokratike e Kosovës, kishte udhëhequr kompaninë “Rrota”.

E njëjta, ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.

Sahatçiu, gjithashtu është zgjedhur dhe ka shërbyer vullnetarisht në misionin e disa organizatave.

Kryetare e Bordit në STIKK (Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë në Kosovë) në dy mandate;

Kryetare e Bordit në VentureUP (Qendra e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës) në dy mandate;

Anëtare e Bordit në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo) në dy mandate:

Anëtare e Bordit në Këshillin e Konsulentëve të Kosovës (BCC) në një mandat.

/GazetaSinjali/