Një person nga fshati Strellc i Deçanit, me qëllim të argëtimit, raportohet se ka postuar një foto të armës në profilin e tij në Facebook, raporton Gazeta Sinjali.
Ky postim duket se pa vonesë është denoncuar në polici, të cilët me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e tij, me ç’rast kanë sekuestruar një armë automatike AK/47.
Pas bastisje, ai bashkë me vëllain e tij u arrestuan dhe u shoqëruan në polici, për t’u liruar më pas me urdhër të prokurorit kujdestar, pas kryerjes së intervistimit.
“Fsh. Strellc i Epërm, Deçan 04.11.2020-17:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj Kos. (vëllezër) pasi që njëri prej tyre përmes rrjeteve sociale facebook ka postuar një armë zjarri. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre është gjetur dhe sekuestruar një AK/47. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë./Gazeta Sinjali/