Polonia nuk ka dhe nuk do të dërgojë avionët e saj luftarakë në Ukrainë për të mbështetur mbrojtjen e vendit të luftuar kundër Rusisë, thanë zyrtarët e qeverisë polake sot.
Marcin Przydacz, një zëvendësministër i Jashtëm, tha në një intervistë në Radio Zet: “Ne nuk do të hapim aeroportet tona dhe avionët polakë nuk do të luftojnë për Ukrainën… avionët polakë nuk do të luftojnë për Ukrainën“.
Por, veçmas, zëdhënësi i qeverisë Piotr Mueller tregoi se një vendim përfundimtar nuk ishte marrë, raportoi Associated Press.
Ai tha se vendimi nëse do të dërgoheshin avionë luftarakë paraqet rreziqe dhe është një “çështje shumë delikate”.
Komentet vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i kërkoi ShBA-së që ta ndihmojë Kievin të marrë më shumë avionë luftarakë për të luftuar pushtimin e Rusisë dhe për të mbajtur kontrollin e hapësirës së saj ajrore, shkruan The Guardian.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni po shikonte një propozim sipas të cilit Polonia do të furnizonte Kievin me avionë të epokës sovjetike dhe nga ana tjetër do të merrte F-16 amerikanë për të kompensuar humbjen e tyre.
Polonia ka qenë më pak se entuziaste për idenë, të paktën publikisht, kryesisht sepse Rusia ka paralajmëruar se mbështetja e forcave ajrore të Ukrainës do të shihej në Moskë si pjesëmarrëse në luftë dhe mund të krijonte një rrezik hakmarrjeje.