Gazetari Parim Olluri, i njërës prej gazetave më me ndikim në vend “Insajderi”, është urdhëruar nga policia që të paraqitet në stacion, në të kundërten do të arrestohet. Këtë urdhër të policisë, Olluri e ka publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Olluri shkruan se ai pritet të intervistohet nga policia për shkak të një artikulli të “Insajderit”, për të cilin sipas tij është ankuar Gani Geci.
Nëse nuk paraqitet në stacionin e policisë “Qendra” deri në orën 14:00, Olluri do të arrestohet. Megjithatë ai ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet në polici pa u njoftuar se çfarë vepre penale ka bërë.
Më tej, ftesën e policisë Olluri e quan skandal, ku thekson se nëse nuk tërhiqet policia prej këtij rasti “atëherë secili prej politikanëve që është protagonistë i shkrimeve të mediave, do t’i denoncojë gazetarët në polici”.
Kundër thirrjes së policisë për Ollurin, ka dalë edhe ekspertja ligjore për media, Flutura Kusari.
“Policia nuk e ka asnjë të drejtë të ftojë gazetarët në polici për shkrimet e tyre. Jam duke e monitoru këtë rast sot tërë ditën dhe jam duke i njoftuar ndërkombëtarët për këtë sjellje të policëve, të cilët aq shumë kanë investu në “policinë më të mirë në rajon”, shkruan Kusari në Facebook, transmeton Sinjali.
Ndryshe, gazeta “Insajderi” është e njohur për publikimin e aferave korruptive, skandaleve dhe lajmeve të tjera ku implikohen personalitete të rëndësishme të vendit. /Sinjali/