image Policia synon Interpolin me sistem të dështuar kompjuterik

Kosovë

Policia synon Interpolin me sistem të dështuar kompjuterik

news image

Halil Syla nga Prishtina kishte arritur herët në mëngjes në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Me një grumbull dokumentesh në duar, ai priste para sportelit në katin e dytë të kësaj qendre për ta vazhduar regjistrimin e veturës. Për tri ditë me radhë, Halili ishte detyruar të bredhte nga një sportel në tjetrin në përpjekje për ta kryer këtë shërbim.

Halil Syla duke pritur para sportelit

Kur problemi i tij dukej se po merrte zgjidhje, nga ana tjetër e recepsionit, nëpunësi i qendrës i ktheu përgjigjen e njëjtë që kishte dëgjuar për disa ditë me radhë, se nuk mund ta regjistronte veturën pasi në sistem ende i figuronte një gjobë.

Halilit, tashmë po i sosej durimi:
“Shumë thjeshtë, hajgare po bojnë me popull, veç hajgare”, thekson i nervozuar nga maltretimi që po i bëhej.

E tërë kjo peripeci për Halilin, kishte nisur tri ditë më parë, kur zyrtari i Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, e kishte njoftuar për një kushtëzim që po aplikon policia e Kosovës me rastin e regjistrimit të veturës.

“Pronari i veturës ose pronari i ri ka gjoba të papaguara të cilat janë shqiptuar nga Policia e Kosovës. Së pari duhet të paguhen gjobat nga pronari i veturës ose pronari i ri dhe më pastaj mund të vazhdohet me shërbimin e zgjedhur”, shkruhej në letrën e shtypur nga sistemi i të dhënave të policisë.

Me të marr këtë njoftim, Syla paguan gjobën për kundërvajtje në trafik të cilën ia kishte shqiptuar policia një muaj më parë në Prishtinë, por pagesa nuk regjistrohet në sistemin e policisë e për pasojë gjoba vazhdonte t`i figuronte e pashlyer.

Halil Syla është vetëm një nga personazhet e këtij rrëfimi, që bënë pjesë në listën e gjatë të qytetarëve, të cilët prej kohësh po keqtrajtohen, si pasojë e mungesës së një sistemi të unifikuar dhe të integruar policor, që do t’i regjistronte në mënyrë automatike pagesat e gjobave në trafik të cilat kryhen nëpër bankat e Kosovës.

Gazeta Sinjali ka pyetur rreth kësaj çështjeje Policinë e Kosovës dhe pas disa ditë pritjesh, ka pranuar përgjigje kontradiktore.

“Kundërvajtësi pas pagesës së gjobës, fletë-dëshminë për pagesën e dërgon në stacionin policor i cili e ka shkruar kundërvajtjen me qëllim që gjoba e shqiptuar të shlyhet nga sistemi”, thuhet fillimisht në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim të Policisë.

Më poshtë, policia vazhdon me një qëndrim tjetër që bie në kundërshtim me të parin.

“Veçse është bërë ndërlidhja e sistemeve të pagesave të kundërvajtjeve në trafik në mes të Policisë dhe institucioneve të autorizuara që kryejnë këto shërbime, me ç ‘rast evidentimi në sistem është duke u bërë në mënyrë automatike/online, ku deri më tani një sistem i tillë është duke funksionuar dhe nuk ka nevojë që kundërvajtësit t’i sjellin dëshmitë në polici.”, thuhet në qëndrimin tjetër të policisë.

Sipas përvojës së qytetarëve, nëse një banor i Prishtinës ka bërë kundërvajtje në ndonjë komunë tjetër, ai duhet të bëjë kilometra rrugë për në stacionin policor të asaj komune që ta dorëzojë fletëpagesën ose të pres disa ditë, derisa fletëpagesa të arrijë në komunën ku është bërë kundërvajtja.

Ndërkohë, Posta e Kosovës, muaj më parë përmes faqes së saj në facebook, ka ftuar qytetarët që gjobat t’i paguajnë përmes pikave postare duke u premtuar shlyerjen e tyre automatike nga sistemi i policisë.

“Ky sistem është duke funksionuar mirë dhe të gjitha pagesat shlyhen në formë automatike, pavarësisht se në cilin vend je”, ka thënë zyrtari i Postës për marrëdhënie me publikun, Arsim Mehmeti, duke shtuar se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa nga ndonjë qytetar për mosfunksionim të këtij sistemi.

Por realiteti në terren flet ndryshe. Halil Syla demanton pohimet e zyrtarëve të postës duke rrëfyer për përvojën personale.
“E kam bo pagesën e dënimit në postë. Tash kur erdha me bo regjistrimin e kerrit më thanë që e keni dënimin prapë. Ata (punëtorët e postës) më kanë thonë që dënimi fshihet. Dje e kam paguar gjobën para dite”, thekson ai teksa ofruan dëshminë e pagesës që kishte bërë një ditë më parë.

Fletëpagesa përmes Postës

Kjo formë e padrejtësisë, sipas qytetarëve, jo vetëm që po u shkakton humbje kohe por edhe kosto financiare të udhëtimit nga një komunë në tjetrën.

Në këtë zhvillim të hovshëm të teknologjisë, ku shumica e shërbimeve janë të kompjuterizuara, Policia e Kosovës duket të jetë larg përmbushjes së këtyre standardeve. Me gjithë këto probleme elementare, ky institucion, mëton anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare INTERPOL e EUROPOL. /Sinjali/