Serbia u trondit nga një tjetër ngjarje e rëndë, ku një 21-vjeçar vrau të paktën 8 civilë dhe plagosi 13 të tjerë në masakrën e dytë në vendin ballkanik, në dy ditët e fundit. Ngjarja u regjistrua pak para mesnatës në fshatin Dubona, ku autori qëlloi një grup njerëzish me një armë automatike dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Sipas Ministrit të Brendshëm autori është identifikuar si 21-vjeçari, Uros B., teksa ai ndodhet ende në arrati dhe konsiderohet si tepër i rrezikshëm. Ai dyshohet se ka debatuar me një polic dhe më pas ka qëlluar nga makina. Policia ka rrethuar zonën ku dyshon se ai fshihet, duke përfshirë në operacion qentë e kërkimit dhe helikopterët.
Ministria e Brendshme konfirmoi për CNN se këtë incident po e trajtojnë si një akt terrorizmi, por nuk specifikuan më shumë detaje. Kjo ngjarje e rëndë vjen dy ditë pasi Serbia u trondit nga lajmet se një 13-vjeçar hapi zjarr ndaj shokëve të klasës në një shkollë në Beograd. Të shtënat lanë të paktën tetë fëmijë të vdekur, së bashku me një roje sigurie.
Autori është arrestuar vetëm disa orë pas masakrës, ndërsa policia i ka gjetur atij në banesë një arsenal armësh.
Policia e kërkonte, autori postoi në Instagram:
Pak orë pas vrasjes, në rrjetin social Instagram është shfaqur fotografia e të dyshuarit për vrasje masive në Mlladenoc, me emrin Uroš B. Kurir, raporton se autori mund të ketë krijuar këtë adresë teksa ndodhet në arrati.
Ky person, ka postuar edhe në story. Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim nëse ai krijoi një profil të ri në Instagram nga një vend i panjohur, apo nëse kjo është krijuar nga dikush që e mbështet, ç’ka e bën akoma më shumë tronditëse dhe shokuese.
Në foton në Instagram, është publikuar një mesazh rrëqethës, i shoqëruar me muzikë nga filmi “South wind”:
“Na keca prangijam”, që do të thotë “do të të gëlltis”, duke u shoqëruar me një shenjë grushti.
Kush është autori i dyshuar:
“Telegraf.rs” raporton se në mesin e viktimave ishte edhe polici M.P 21-vjeç dhe motra e tij e vogël Katarina. Polici i ri punonte në Mlladenovac.
21-vjeçari Uroš B, i cili dyshohet se është autori ka qenë me shokët e tij në oborrin e shkollës kur ka pasur një debat me ta. Ai ka shkuar menjëherë në shtëpi, ka marrë një automatik dhe është rikthyer për t’i vrarë. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pranë një këndi lojërash, ku të rinjtë mblidheshin në mbrëmje.
Dyshohet se autori është djali i një ushtaraku dhe konsiderohet si person problematik. Prej më shumë se 4 orësh autori është i arratisur dhe banorët e fshatrave përreth zonës ku ka ndodhur ngjarja e rëndë, janë ngujuar në shtëpitë e tyre.