Zyrtari i PSD-së, Dren Kukaj, ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të partisë së tij, pasi ndërprenë konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Sipas Kukajt, policia ka përdorur dhunë të madhe ndaj aktivistëve të arrestuar.
Postimi i tij i plotë:
Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata.
Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë asesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot.