Autoritetet në qytetin amerikan të Minneapolis, publikuan sot pamjet tragjike ku oficerët qëllojnë për vdekje një 22-vjeçar afro-amerikan pasi hyjnë në shtëpinë e tij.
Sipas policisë Amir Locke u vra dy ditë më parë nga oficerët në apartamentin e tij pasi “po nxirrte një pistoletë nga batanija me të cilën ishte mbuluar”.
I gjithë episodi që prej hyrjes së oficerëve në apartament me çelësin e tyre deri te të shtënat ndaj Locke, zgjati dhjetë sekonda. I riu u shpall i vdekur në spital.
E përditshmja vendase ‘Star Tribune’ shkruante se emri i Locke nuk përmendej në mandatin e kontrollit të banesës, gjatë të cilit në video nuk dëgjohet asnjë paralajmërim nga policët.
Avokatët e familjes së të ndjerit thanë se ai zotëronte një “armë zjarri të ligjshme” dhe se nuk kishte precedentë të tjerë penalë. /GazetaSinjali/