Përfaqësuesit e stacionit policor në Graçanicë paraqitën dje një raport pune për vitin 2019 në ambientet e Komunës së Graçanicës.
Komandanti i stacionit policor, Bratislav Trajkoviq tha se tendenca e krimit në këtë komunë është në rënie, raporton radio serbe Kim, transmeton Gazeta Sinjali.
Megjithëse ka pasur vjedhje të shumta të shtëpive në komunë në të kaluarën, Trajkoviq tha se raporti vjetor tregon se numri i vjedhjeve dhe grabitjeve në vitin 2019 ishte zvogëluar me “një përqindje të caktuar” në krahasim me një vit më parë.
“Kemi pasur rreth 70 raste më pak në vitin 2019. Tendenca e krimit në këtë territor është ulur. Meqenëse ka akoma punë dhe do të ketë gjithmonë, ne do të përpiqemi t’i parandalojmë ato sa më shumë që të jetë e mundur. Këto do të jenë sfidat tona në periudhën e ardhshme”, tha ai.
Trajkoviq theksoi se situata e sigurisë në këtë komunë është në një nivel të kënaqshëm.
“Unë do të doja t’u thosha qytetarëve se ata nuk duhet të kenë asnjë shqetësim për këtë dhe se territori i komunës së Graçanicës mund të jetë një nga më të sigurtit, për të mos thënë komuna më e sigurt në Kosovë. Unë do të kërkoja nga qytetarët që të angazhohen në komunikim me oficerët e Policisë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që Policia të mund të jetë edhe më e suksesshme gjatë vitit të ardhshëm. Puna policore, ndër të tjera, varet nga bashkëpunimi me qytetarët”, tha Trajkoviq.
Kryetari i Komitetit Lokal të Sigurisë Publike “Gracanica West”, Slavisa Todiq, tha se megjithëse përshtypjet nga terreni mund të jenë se shkalla e krimit është rritur, statistikat tregojnë se është në rënie nga viti 2018.
“Policia marrin pjesë rregullisht në takimet tona të Komitetit të Sigurisë, kështu që ne kemi vetëm fjalë lavdërimi për bashkëpunimin me policinë”, tha Todiq.
Komandanti Bratislav Trajkoviq njoftoi se mediat “do të kenë qasje në informacionin e përfshirë në këtë raport” gjatë javës tjetër. /Gazeta Sinjali/