Gjatë muajit gusht koronavirusi shënoi rritjen më të madhe në Kosovë. E kjo bëri që Qeveria e Kosovës të marrë masa të reja kundër COVID-19.
Masat e reja antiCOVID kanë hyrë në fuqi më 28 gusht, shkruan Gazeta Sinjali.
Përveç rikthimit të orës policore, masat e reja prekën prapë sektorin e gastronomisë.
Sipas këtyre masave, lokalet mund të zhvillojnë veprimtarinë e tyre vetëm deri në ora 21:30 dhe klientët mund të shërbehen në ambientet e terrasës.
Mirëpo, këto masa nuk u respektuan nga disa lokale, e kjo bëri që Policia e Kosovës të marrë aksion për kontrollimin e tyre.
Gjatë të shtunës së kaluar, zyrtarët policorë bashkë me inspektorë kanë gjobitur kafiteritë që nuk i kanë respektuar masat dhe i kanë mbyllur ato.
Kafiteritë që janë mbyllur, funksionimin e tyre e kanë të ndaluar deri më 13 shtator, kur do të bëhet rishikimi i masave aktuale.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, sekretari ligjor i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, ka dhënë detaje për mbylljen e këtyre lokaleve.
Ai ka thënë që mbyllja e kafiterive ka qenë e padrejtë, pasi edhe masat e reja të Qeverisë janë dinake.
“Ka një masivizim të aksionit të institucioneve zbatuese të ligjit ku nuk është bërë në mënyrë të drejtë, sepse ka pasur një konfuzion me hapësirën e jashtme të lokaleve. Por Qeveria pak a shumë në formë të padrejtë ose dinake e ka marrë këtë vendim”, ka thënë Vranica.
Por sipas tij, këto aksione të Policisë së Kosovës kanë qenë për t’i kontrolluar hapësirat e dedikuara për duhanpirës.
“Ka një kohë të gjatë që Ligji për Duhanin nuk është implementuar sepse nuk është adekuat, mirëpo po zbatohet dhe është e vështirë për ne”, ka thënë ai.
Lokalet që janë mbyllur, sipas Vranicës, do të kenë vështirësi në ekzekutimin e pagave për punëtorët.
“Një numër i madh i lokaleve ka filluar të mbyllet, sepse nuk kanë përkrahje, pasi institucionet nuk kanë dhënë ndonjë sinjal për të na mbështetur”, tha Vranica.
Sipas Vranicës, mbi 25 lokale janë mbyllur nga policia, shkruan Sinjali.
“Mund të jenë 26-27 lokale që janë mbyllur, të cilat janë në kuadër të Shoqatës së Gastronomëve, por ka edhe të tjera lokale jashtë shoqatës që janë mbyllur”, ka thënë ai.
Situata me COVID-19 në Kosovë është ende shqetësuese, pasi numri i rasteve të reja dhe rasteve të vdekjes është rritur. Dje janë shënuar 1 mijë e 278 raste të reja dhe 21 raste të vdekjes./GazetaSinjali/