image Policia konfiskon prova të reja pas grabitjes së armatosur në Shtime

Kosovë

Ekskluzive/ Policia konfiskon prova të reja pas grabitjes së armatosur në Shtime

news image

Është gjetur vetura e cila dyshohet se është përdorur për grabitjen e armatosur në një bankë në Shtime.

Më 2 shtator, disa grabitës nën kërcënimin e armëve, kanë detyruar një punëtore të bankës që t’i dorëzojë paratë nga arka dhe më pas kanë ikur duke shtënë me armë në drejtim të automjetit të Policisë që ishte vënë në ndjekje të tyre.

Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet e besueshme në Prokurori se dje sektori i hetimeve rajonale ka identifikuar në rrugën “Isa Kastrati” në Matiqan të Prishtinës, veturën e Kastriot Hysenit, njërit prej të dyshuarve për këtë sulm.

Vetura e konfiskuar është e tipit Ford Fokus më ngjyrë të zezë dhe me targa angleze, mëson Sinjali.   

Hetuesit policorë gjatë kontrollit të veturës, kanë gjetur në bagazhin e saj katër bomba dore luftarake, prodhim i Shqipërisë, një revole e 11 fishekë të kalibrit 9 milimetra si dhe dy jelekë antiplumb.  

Dyshohet se Kastriot Hyseni kishte lënë veturën në këtë lokacion pak kohë para se të arrestohej nga policia më 5 shtator.

Bombat janë sekuestruar nga njësiti për deminim ndërsa dëshmitë tjera përfshirë edhe veturën janë dërguar në Ferizaj.

Gazeta Sinjali në fillim të shtatorit, kishte raportuar ekskluzivisht lidhur me grabitjen e armatosur në Shtime, ky dyshohet se janë përfshirë 6 persona.

Deri më tash, përveç arrestimit të Kastriot Hysenit është identifikuar edhe personi dytë i dyshuar, Adil Krasniqi i cili ende nuk është kapur nga policia. Ndërkohë që katër persona të tjerë të përfshirë në këtë rast nuk janë identifikuar ende nga forcat e rendit. /Sinjali/