Gazeta Sinjali ka raportuar më 2 qershor për një ngjarje si nëpër filma që ka ndodhur në rrugën ‘Halil Alidemaj’ në Gjilan, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka tentuar ta ndal një veturë e cila po drejtohej nga një person i cili është në kërkim policor. I njëjti përpos që s’i është bindur urdhrit të Policisë, ka tentuar t’i godas ata me veturë, raporton Gazeta Sinjali.
E sot, Policia e Kosovës po kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e Burim Agajt i njohur si “Gishti”,
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i hetimeve që operon në kuadër të stacionit policorë në Gjilan, me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotograf”, thuhet në njoftimin e tyre.
Gjithashtu, Policia e Kosovës bëri thirrje se për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendndodhjen e tij, të lajmëroni në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës apo përmes numrit 192.
Si ka ndodhur e gjithë ngjarja ku pati edhe të shtëna me armë zjarri?
Sinjali mëson se posa Agaj është urdhëruar që të ndalet, i njëjti ka lëvizur veturën e tij në drejtim të zyrtarëve policorë me qëllim që t’i godas ata.
Kjo ka bërë që një nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës të shtijë me armë në drejtim të veturës që po drejtohej nga Agaj.
41-vjeçari ka arritur që të largohet në drejtim të panjohur, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Më urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do të merren posa të kapet i dyshuari.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.