Gazeta Sinjali sapo raportoi për një vetëaksident që ka ndodhur pak më parë tek ura e Gjonajve, në hyrje të fshatit Gjonaj, në Has të Prizrenit, ku një veturë ka rënë në lumin Drin.
Sinjali nga burimet ka mësuar se si pasojë e këtij aksidenti një person ka vdekur, kurse dy të tjerë janë lënduar.
Sinjali, gjithashtu ka mësuar se deri tek aksidenti dyshohet se ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë dhe dyshohet se shoferi ka qenë nën ndikim të alkoolit.
Lajmin për Gazetën Sinjalin e ka konfirmuar Vesel Gashi, zëdhënësi për informim në rajonin e Prizrenit, i cili tha se viktima dyshohet të jetë 60-vjeçar, ndërkaq dy personat e lënduar nga plagët e marra janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Gashi ka shtuar se njësia e trafikut është në vendin e ngjarjes.
“Njësitë tona të trafikut janë në vendin e ngjarjes, ku po merren me të gjitha veprimet lidhur me shkaqet e këtij vetëaksidenti. Tre persona janë të përfshirë në vetëaksident, njëri prej tyre ka humbur jetën, ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi i urgjencës, ndërsa dy të tjerët janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal. Mosha e viktimës është 60-vjeçar nga informatat e para që kemi deri tani”, deklaroi Gashi.