Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për disa shoferë që kanë bllokuar rrugën duke bërë “drifta”, afër Qendrës Tregtare “Galeria”, në rrugën “Tirana”, në Prizren.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, tha për Sinjalin se ngjarja ka të bëjë me një premiere filmi në Prizren.
Me këtë rast, ai tha se policia ka shoqëruar në stacion një person, i cili nuk ka respektuar urdhrin e zyrtarit policor, si dhe ka drejtuar automjetin pa patentë shofer.
“Në orën 19:06 policia ka marrë informacion se ka një grumbullim të automjeteve për shkak të një organizimi të një premiere të filmit. Një person është shoqëruar në polici, për shkak të mosrespektimit të personit zyrtar dhe drejtim të automjetit pa patentë shofer”, tha Osmanollaj.
Sinjali publikoi video nga vendi i ngjarjes, ku shihet se në mes të rrugës janë mbledhur shumë njerëz, për shpërndarjen e të cilëve, sipas një sinjalizuesi që ishte i pranishëm aty, policia ka përdorur sprej.
Mirëpo, Osmanollaj tha se nuk e ka ende një informacion të tillë./Gazeta Sinjali/