Sot pasdite, në Lumbardhin e Pejës ka rënë një fëmijë 3 vjeç, derisa ishte duke vozitur një veturë elektrike, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë, Sinjali ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili dha detaje për rastin.
Rugova njoftoi se në momentin që njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, aty kanë hasur tre persona të cilët e kanë nxjerrë fëmijën nga uji.
“Rreth orës 19:45, Policia ka pranuar një informatë se në lumin e qytetit, përkatësisht te vendi i quajtur “parku i vogël”, një fëmijë ka rënë në lumë. Njësitet relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur tre persona në lumë – njëri prindi i fëmijës- të cilët e kanë shpëtuar fëmijën dhe e kanë nxjerrë na uji i ftoftë”, tha ai për Sinjalin.
Ai tha se njëri prej tyre ka qenë prindi i fëmijës, ndërsa një qytetar ka pësuar lëndime gjersa e ka larguar 3-vjeçarin nga lumi.
Rugova tha se fëmija dhe tre personat e tjerë tashmë janë dërguar në Spitalin e Pejës për të marrë tretman mjekësor.
“Njëri nga personat, qytetar, ka pësuar lëndime trupore gjatë ndihmës për ta nxjerrë fëmijën nga uji. Fëmija dhe tre personat tjerë janë dërguar në Spitalin e Pejës për të marrë tretman mjekësor”, tha Rugova për Sinjalin.