image Policia jep detaje për operacionin në Telekom, përgënjeshtron kryeshefin Bedri Istrefi

Kosovë

Policia jep detaje për operacionin në Telekom, përgënjeshtron kryeshefin Bedri Istrefi

news image

Policia e Kosovës ka treguar detaje të reja rreth operacionit në Telekomin e Kosovës, me ç’rast janë shoqëruar 4 persona për një kontratë të vitit 2019, duke përgënjeshtruar kështu kryeshefin aktual të Telekomit, Bedri Istrefi, i cili tha se operacioni ishte për një kontratë të dyshimtë të nënshkruar në vitin 2015.

“Ne kemi bërë një kallëzim penal për një mashtrim që i ka ndodhur Telekomit të Kosovës. Kontrata është lidhë në vitin 2015 ose 2016, në kohën e Agron Mustafës dhe borxhi është bartë prej vitit në vit. Ne kemi pasur urdhër prej gjykatës për ekzekutim të borxhit dhe duke parë gjendjen financiare që ka Telekomi i Kosovës. Gjatë këtij procesi kemi hasur në falsifikim të dokumenteve dhe kemi iniciuar si rast menjëherë në prokurori”, tha sot Istrefi.

Sipas policisë, katër të shoqëruarit dyshohen se janë përfshirë në veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme”, e cila është nënshkruar në dhjetor të vitit 2019 dhe e cila i shkaktoi mbi 100 mijë euro humbje buxhetit të Telekomit të Kosovës.

“Operacioni policor ka përfshirë bastisjen e katër (4) zyrave të Telekomit të Kosovës, zyrat qendrore në Prishtinë, me qëllim të gjetjes së provave materiale lidhur me dyshimet e ngritura rreth nënshkrimit të një kontrate në dhjetor të vitit 2019, ku dyshohet se buxheti i Telekomit të Kosovës është dëmtuar me një shumë prej mbi njëqind mijë (100,000.00) euro. Lidhur me këtë rast janë shoqëruar në polici katër (4) persona, të cilët janë duke u intervistuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘lidhje e kontratës së dëmshme’”, thuhet në komunikatën e policisë.

Gazeta Sinjali raportoi gjatë ditës së sotme, që tre nga personat e arrestuar janë drejtori i financave të Telekomit, Armend Osaj, zëvendës drejtori i financave, Isa Smajlaj dhe menaxheri i Thesarit, Naim Gashi.

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione ka sekuestruar disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin si dokumentacione, pajisje elektronike, telefona celular etj., dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore. /Gazeta Sinjali/