Ngarkesa e një kamionete dyshohet se ka goditur tri vetura të cilat kanë qenë në lëvizje duke shkaktuar kështu aksident në fshatin Parallovë të Gjilanit, shkruan Gazeta Sinjali.
Si pasojë e këtij aksidenti, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashanit, janë lënduar tre persona.
“Sot rreth orës dymbëdhjetë në fshatin Parallovë ka ndodhë një aksident trafiku. Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhë kur ngarkesa e një kamionete në lëvizje ka rënë dhe dyshohet se ka goditur tri vetura po në lëvizje me ç’rast lëndime trupore marrin dy pasagjerë në njërën veturë dhe një në veturën tjetër”, tha Hashani për Gazetën Sinjali.
Hashani tha se të lënduarve u është ofruar ndihma e mjekut në qendrën emergjente në Gjilan dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetë.
Në vendngjarje ndodhet edhe policia e trafikut rajonal, e cila është duke i hetuar rrethanat e aksidentit./Gazeta Sinjali/