Shpërthimi i një bombole gazi brenda një restoranti dje në Ferizaj ka lënë 42 persona të lënduar. Derisa gazetarët po ishin duke i përcjellur vizitat e zyrtarëve të shtetit, të cilët i vizituan të lënduarit, gjatë një transmetimi direkt në televizionin publik shihet një burrë që godet një grua.
Burri që po e nxirrte gruan me karrocë nga Emergjenca, kapet nga kamera derisa e godet atë në kokë.
Në lidhje me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar zëdhënësen e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmetin, e cila ka thënë se janë identifikuar personat që shihen në këtë video.
“Referuar pamjeve në fjalë, policia menjëherë në përputhje me autorizimet saj ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes si dhe hetimit të rrethanave që karakterizojnë rastin.
Në kontekstin e kësaj menjëherë ka identifikuar palët, ka proceduar me intervisitimin e të njëjtëve dhe ka koordinuar veprimet e mëtejme me prokurorin e shtetit, për të nxjerrë në pah nëse ka elemente të veprës së inkriminuar”, ka thënë Ahmeti.