Një rast i dyshuar i falsifikimit të parasë është zbuluar në Prizren, pasi zyrtarët e Raiffeisen Bank kanë hasur në kartëmonedha dhe monedha metalike që dyshohet se janë të falsifikuara.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se rasti është raportuar nga një punonjës i bankës, i cili ka dorëzuar në Polici edhe dëshmitë materiale të dyshuara.
Sipas informacioneve fillestare, paratë janë identifikuar përmes aparatit për detektimin e valutës së falsifikuar gjatë procedurave bankare.
Vlera totale e parasë së dyshuar arrin në 308 euro, ndërsa në mesin e tyre janë:
një kartëmonedhë prej 50 euro,
120 monedha prej 2 euro,
dhe 18 monedha prej 1 euro.
Pas pranimit të rastit, Policia ka intervistuar ankuesin dhe më pas është njoftuar hetuesi kujdestar, i cili në konsultim me Prokurorin e Shtetit ka iniciuar rastin “Falsifikim i parasë”.
Monedhat dhe kartëmonedha e dyshuar janë sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të përfshirë janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!