Një përleshje mes disa të rinjve në afërsi të lokalit “Crypto” në Zubin Potok ka përfunduar me përdorim të thikës dhe intervenim policor, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 22 majit në rrugën “Kolashinski Knjezheva”.
Sipas Policisë, dy viktimat janë paraqitur në stacion rreth orës 02:05 dhe kanë raportuar se pas një mosmarrëveshjeje me një person, situata kishte eskaluar në dhunë fizike.
Njëri nga viktimat kishte pësuar lëndime në gishtin e mesëm të dorës së majtë nga një thikë, ndërsa viktima tjetër ishte sulmuar me grushte dhe shqelma.
I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-Zubin Potok.
Policia ka arrestuar të dyshuarin Urosh Janicijevic dhe ka intervistuar të gjitha palët e përfshira në rast.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!