Një person i armatosur është plagosur nga policia në qytetin e Dresdenit, Gjermani, pasi dyshohet se ka qëlluar në drejtim të efektivëve pranë një supermarketi.
Sipas autoriteteve gjermane, ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në lagjen Friedrichstadt, ku policia u njoftua nga qytetarët për praninë e një personi me armë.
Forcat e specializuara mbërritën në vendngjarje, ndërsa gjatë ndërhyrjes policia bëri të ditur se 41-vjeçari e kishte drejtuar armën ndaj zyrtarëve dhe kishte shtënë në drejtim të tyre.
Efektivët reaguan duke përdorur armët e shërbimit, duke e plagosur të dyshuarin, i cili më pas u neutralizua dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Sipas policisë, gjatë incidentit është dëgjuar edhe një shprehje fetare islame nga i dyshuari, ndërsa rrethanat dhe motivi i ngjarjes janë ende duke u hetuar.
Autoritetet kanë nisur procedura hetimore ndaj 41-vjeçarit për dyshime për kanosje dhe shkelje të ligjit për armët. Njëkohësisht po shqyrtohet edhe përdorimi i armëve nga policia gjatë ndërhyrjes.
Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar nëse arma e poseduar nga i dyshuari ishte funksionale, ndërsa zona përreth supermarketit u sigurua për disa orë. Policia ka bërë të ditur se nuk ka më rrezik për qytetarët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!