Më 4 gusht një shqiptar që jetonte në Gjermani kishte një ide për të vjedhur diçka. Ai teksa kishte qëndruar në një kafene duke pirë vodka kishte planifikuar të vidhte diçka.
Sapo kishte dalur në rrugë kishte parë një grua dhe i kishte marrë çantën. Bëhet fjalë për edukatoren 45-vjeçare Gisela B.
“Unë po kthehesha nga vizita te një shoqe. Rreth orës 1 e 20 i rashë nëpër Kreuzberg (lagje e njohur, e madhe e Berlinit), kur ai më kaloi pranë dhe më kapi çantën. Por unë nuk e lëshova, derisa ai më goditi në fytyrë”, transmeton albinfo.ch. “Excuse me please”, i lutet tash i akuzuari “viktimës” së tij, në prani të trupit gjykues, duke iu drejtuar me shikim lutës.
Studenti Eric K., 23-vjeçar i kishte dëgjuar nga ana tjetër thirrjet e gruas: “Hej, ndalo, çanta ime…”. “Unë e pashë duke ikur dhe vrapova pas tij. Çantën e kishte në dorë”.
Kur personi që po ikte, pasi kaloi rrethojat në bregun e kanalit, kërceu në errësirë, Eric-u e alarmoi policinë. Ajo, për fat, erdhi dy minuta pas marrjes së lajmit.
“Personi në kanal po thirrte për ndihmë”, thotë polici Dominik W. Ai ishte kapur në ujë për një degë. Ne pastaj ia hodhëm një gomë shpëtimi”.
Ndërkohë që komisarja e lartë Jana G. pa ngurruar, e lidhur me një litar, u lëshua poshtë shkurreve dhe po e mbante mbi ujë të riun e frikësuar për vdekje, derisa erdhën zjarrfikësit dhe policia e ujërave.
I akuzuari, i cili kishte pësuar ngrirje të theksuar të trupit (temperatura e trupit të tij kishte rënë në rreth 33 gradë) është “shkrirë” në katër faza. Rrobat e reja atij ia kanë dhuruar më vonë shokët e dhomës në burg. Ndërsa çanta nuk u gjet më.
“Kur të dal nga burgu do të shkoj menjëherë te familja ime, në vendlindje”, ka premtuar ai para gjykatës. Ky premtim veç tjerash ka bërë që ndaj tij të shqiptohet një dënim i butë: grabitësi i penduar, i padënuar deri tash, ka marrë dënimin më të ulët të mundshëm, 1 vit burg me kusht.
Gjyqtari i rastit i dha një porosi në fund kosovarit “Dy herë keni pasur fat: Një herë keni shpëtuar nga rreziku për jetën dhe tash, duke u dënuar me kusht, po shpëtoni nga burgu. Bëni mirë të mos e sfidoni fatin edhe për herë të tretë!”.