Zëvendëskomandanti i Policisë së Pejës, Veton Elshani ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për media pas vrasjes së ish-ushtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendit në Zahaq të Pejës.
Përveç detajeve të bërë të ditura më herët, Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion të ri, teksa janë pyetur edhe për faktin se cilat mund të jenë motivet e rastit, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sot në mëngjes rreth orës 01:30 minuta, Policia është informuar se në fshatin Zahaq të Pejës në një rrugë është duke u djegur një veturë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët e kanë shuar zjarrin dhe e kanë parë personin”, ka thënë Elshani.
Ai ka thënë se për momentin nuk mund të flitet asgjë tjetër për rastin, apo për motivet përveç detajeve zyrtare.
“Për momentin nuk kemi dicka për me theksu në këtë drejtim. Deri në këtë moment nuk kemi mundësi të themi dicka më shumë, përveç që dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri. Sidoqoftë, pas raportit të autopsisë ne do të dijmë më shumë”, ka deklaruar Elshani. /Gazeta Sinjali/