image Policia për një javë shënon më shumë se 1300 gjoba për kundërvajtje në trafik

Siguri

Policia për një javë shënon më shumë se 1300 gjoba për kundërvajtje në trafik

news image

1375 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik janë shqiptuar nga Policia e Kosovës për vetëm një javë.

Këto gjoba janë shqiptuar në kuadër të planeve operative “Siguria në trafikun rrugor” dhe “Shtimi i masave të sigurisë në trafikun rrugor”, raporton Gazeta Sinjali.

Po ashtu, Policia ka treguar se gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 5 automjete kurse 21 shoferëve iu është shqiptuar masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të automjetit nga tre muaj deri një vit.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës apelon për kujdes më të shtuar për pjesëmarrësit në trafik

Prishtinë, 22 Mars 2022 Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.

Në kuadër të kësaj Policia e Kosovës gjegjësisht Njësia për Kontrollin e Autostradave e mbështetur nga njësitë tjera të Divizionit të Komunikacionit Rrugor në vazhdim të implementimit të planeve operative aktive si “Siguria në trafikun rrugor” & ”Shtimi i masave të sigurisë në trafikun rrugor”, gjatë një jave (14-20.03.2022) ka shqiptuar 1375 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, ka konfiskuar 5 automjete për ndalje të parregullt në autostradë, ka larguar nga trafiku 3 automjete të tjera, ka konfiskuar përkohësisht 6 targa të automjeteve të paregjistruara, ka identifikuar 9 kundërvajtës duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit si dhe 21 shoferëve iu është shqiptuar masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të automjetit nga tre muaj deri një vit.

Përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.

Për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për shoferët e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.

/GazetaSinjali/