Policia e Mançesterit ka publikuar një video ku shihet arrestimi i shqiptares, Eltiona Skana e cila dyshohet për vrasjen e shtatë vjeçares, Emily Jones.
E dyshuara, gjatë arrestimit e pranon se në çantë e ka një thikë, përcjellë Gazeta Sinjali.
Në këtë video të publikuar dëgjohet edhe një kalimtare rasti e cila thotë “Mendojë se ajo e ka vrarë dikë”.
Një gjykatës britanik tha të martën se Skana mund të mos lirohet kurrë nga burgu, ndërsa policia lokale e ka përshkruar atë si shkelëse të rrezikshme të ligjit pasi ia preu fytin vajzës shtatë vjeçe në një park në mars.
Skana kishte arritur të largohej nga vendi ku e kishte kryer krimin, por një kalimtar i rastit e kishte ndjekur dhe e kishte ndalur vrasësen derisa kishte arritur policia.
Të martën, gruaja e akuzuar për krimin e tmerrshëm u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë kërkese për ndryshim të vendimit për së paku tetë vjet.
Lëvizjet e gruas ishin kapur edhe nga kamerat e sigurisë në hapësira tjera, përfshirë një qendër tregtare.
Prokuroria pretendoi se gruaja e kishte blerë thikën që e përdori për kryerjen e krimit në ditën kur e kreu aktin.
Gruaja e dënuar do të jetë nën vëzhgim të personelit të shëndetit mendor dhe gjendja e saj do të vlerësohet para ndonjë vendimi tjetër për mundësinë e lirimit të parakohshëm.
Eltiona Skana nuk kishte shfaqur asnjë llojë emocioni kur gjyqtari i kishte bërë të ditur se ka mundësi që nuk do të lirohet kurrë.